Kodi Penal, Petro Koçi: Të falet ryshfeti për ata që denoncojnë, koha për katarsis kombëtar kundër korrupsionit

Data

Deputeti i PS, Petro Koçi, ka hedhur një propozim të fortë publik lidhur me ndryshimet në Kodin Penal. Ai kërkon dekriminalizimin e dhënies së ryshfetit për ata qytetarë që vetëdenoncojnë dhe bashkëpunojnë me drejtësinë. Sipas tij, ky mekanizëm do të ndihmonte në ndëshkimin real të zyrtarëve të korruptuar dhe në një pastrim të thellë institucional. Ideja e tij parashikon një amnisti për ryshfetdhënësit që sjellin prova të besueshme për aktet korruptive. “Meqë po flasim për Kodin Penal, po bëj një propozim publik për institucionin e bashkëpunimit me drejtësinë: Jam për dekriminalizimin e dhënies, por jo marrjes së ryshfetit për personat që kallëzojnë vetë rastet kur u kanë dhënë apo u japin ryshfet zyrtarëve të shtetit për të përfituar favore apo fituar një të drejtë, ku mund të përfshihen: Marrja e një licence; Marrja e një leje ndërtimi; Marrja e titullit të pronësisë apo legalizimit; Fitimi i një procesi gjyqësor; Rrëzimi i një procesi penal; Sigurimi i një vendi pune; Shitblerja e votës; Heqja e gjobës; Favorizimi në shkelje të ligjit në pagesë tatimesh apo doganash; Fitimi i një prokurimi publik. Sigurisht që rastet e provueshme sipas ligjit do të pasoheshin me ndëshkime penale për zyrtarët e denoncuar. Sepse vetëm denoncimi nuk do të mjaftonte dhe mund të shndërrohej në institucion abuzimi. Besoj se do të përfitonim një katarsis të gjerë dhe të fortë. Kjo është vetëm një ide, e cila duhet përpunuar nga ekspertët në mënyrë që t’i shërbente vetëm ndëshkimit të korrupsionit dhe jo larjes së hesapeve mes të fortëve, që nuk mungojnë mes zyrtarëve tanë. Një variant mund të ishte, p.sh., një amnisti për çdo ryshfetdhënës në 15 vitet e fundit që denoncon me prova aktin e ndëshkueshëm nga ligji. Dhe nuk e kam fjalën për ndonjë arkë me peshk, por për ata që kanë paguar rëndshëm xhepa zyrtarësh për të fituar një të drejtë apo përfituar një favor”, shkruan deputeti Koçi.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related