Drafti i ri i Kodit Penal i prezantuar nga Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja, më 25 korrik 2025, synon të zëvendësojë Kodin ekzistues të vitit 1995. Hartuesit e këtij drafti pretendojnë se kjo iniciativë është pjesë e reformave të integrimit evropian dhe përafrimit me legjislacionin e Bashkimit Evropian (acquis communautaire). Ndërkohë që mjafton të shikosh disa ndërhyrje për të kuptuar se qeverisja aktuale nëpërmjet një Kodi të ri Penal kërkon të dekriminalizojë shpërdorimin e detyrës, duke e kaluar në kundravajtje penale. Në versionin aktual të Kodit Penal (neni 248), “shpërdorimi i detyrës” është një vepër penale që ndëshkon çdo veprim ose mosveprim në kundërshtim me ligjin, që sjell përfitim të padrejtë për vete ose të tjerët, ose dëmton interesat e ligjshëm të shtetit apo qytetarëve.
Në Draftin e Kodit të Ri Penal, kjo vepër parashikohet të kalojë në nivel kundërvajtjeje penale (pra jo krim), dhe ndëshkimi ndoshta do të jetë në formë gjobe ose masë alternative, jo burgim, përveç rasteve shumë serioze. Mazhoranca shqiptare e cila është zhytur e tëra në korrupsion dhe mesa duket kjo situatë do vazhdojë disa vite me gjurmët korruptive të lëna në buxheti e shqiptarëve nga funksionarë të niveleve të ndryshme. Këto ndryshime mund të çojnë në mosndëshkueshmëri për zyrtarët që kanë abuzuar me detyrën publike, përderisa nuk provohet qëllimi kriminal. Kjo bie në kundërshtim me kërkesat e BE-së dhe GRECO për forcimin e luftës kundër korrupsionit dhe mbajtjen përgjegjëse të zyrtarëve publikë.
