Nga qelia e paraburgimit në Durrës, ku po qëndron prej muajit shkurt, Erion Veliaj ka pasur me tepri kohën për t’i analizuar në detaje rrethanat dhe njerëzit që e rrëzuan nga maja e pushtetit për ta hedhur në një qeli. Dhe tani që gjykata vulosi paraburgimin dhe njerëzit e afërt ia shkarkuan nga bashkia ndërsa shokët e partisë e braktisën, ka kuptuar sa pas sulmit ndaj tij nuk ishin vetëm prokurorët Ols Dado dhe Altin Dumani. Prandaj në një mesazh në rrjetet sociale ai nuk fajëson vetëm këta të dy për goditjen shkatërruese që i dhanë, por flet për “persekutim” për një “eliminim politik”, për një bashkërendim të prokurorisë me “aktorë të tjerë”, për dhunë të financuar në protestat e opozitës dhe për një “tirani penale” apo “tirani speciale” që nuk ka asgjë të përbashkët me aspiratat për t’u integruar në Bashkimin Europian. Kjo është një qasje e re në reagimet e Veliajt, kur për herë të parë artikulon arrestimin e tij si shënjestër e një vendimi politik, i një skenari për ta nxjerrë nga loja. Kur Veliaj flet për “eliminim politik” ai nuk godet më sistemin e drejtësisë, por strukturën politike që e mban atë në ekuilibër dhe në Shqipëri, kjo strukturë ka vetëm një emër: qeveria e Edi Ramës.
Kush fshihet pas financimit të protestave të opozitës?
Veliaj la të kuptuar në letrën publike të publikuar ditën e djeshme se protestat para bashkisë të udhëhequra në plan të parë në atë kohë nga Belind Këlliçi dhe Flamur Noka, janë koordinuar me qëllim, në të njëjtën kohë me hetimin që nisi ndaj tij SPAK. “A u hetua ndonjëherë dhuna 1-vjeçare, me molotovë e zjarr, përpara Bashkisë së Tiranës, e kryer nga individë të maskuar që, sipas raportimeve, transportoheshin nga rrethe të tjera? Kush e koordinoi dhunën që të përkonte me vetting-un tim të paligjshëm? Kush e financoi për 45 javë?”, pyet Veliaj. Kryebashkiaku nuk përmendi emër konkret, por akuza e bërë publikisht disa kohë më parë nga Arben Ahmetaj, një nga njerëzit më të rëndësishëm në PS drejtoi gishtin nga Belinda Balluku. Nga arratia në Zvicër, ai tha se Balluku ka paguar njerëz të opozitës, pra Flamur Nokën dhe Belind Këlliçin për të protestuar kundër Veliajt. “Po, pooo. Njerëz të saj kanë paguar njerëz për të shkuar në protestë. Ore shiko se kur të mbarosh këtë intervistën do ulesh me njerëz, kolegë të tu gazetar dhe do thonë, po ne i dimë këto o burrë, ca tha… thojini pra”, tha Ahmetaj.
