Greqia e ka paralajmëruar Turqinë se mund t’ia bllokojë qasjen në një fond të Bashkimit Evropian në fushën e mbrojtjes, nëse Ankaraja nuk ofron garanci se armët nuk do të përdoren për ta shënjestruar Athinën.
Greqia, vend anëtar i Bashkimit Evropian dhe Turqia fqinje kanë marrëdhënie të tensionuara me dekada lidhur me të drejtat e sovranitetit në Detin Egje, dhe së fundmi edhe për shkak të çështjeve të energjisë dhe migrimit.
Turqia, vend anëtar i NATO-s, por jo edhe i bllokut evropian, e gëzon mundësinë që të ketë qasje në programet e BE-së për industrinë e mbrojtjes dhe në programet e përbashkëta për prokurim, në kuadër të Iniciativës së BE-së për Veprim në Siguri, në vlerë të 150 miliardë eurove.
Mirëpo, kryeministri grek, Kyriakos Mitsotakis, ka thënë se shteti i tij nuk do ta lejojë Turqinë të marrë pjesë në skemën e mbrojtjes, nëse vazhdon të kërcënojë me luftë kundër Greqisë dhe ia vë në pikëpyetje sovranitetin në Detin Egje.
