Kadastrat janë sot një shpellë e hapur korrupsioni, që vazhdojnë të jenë mekanizmi kryesor për legalizimin dhe përfundimisht pastrimin e grabitjes gjigante të pronës publike, kryesisht në bregdet dhe zonat urbane me vlerë të lartë. Po t’u shkohet pas fijes, në majë të piramidës ku përfundojnë interesat e këtyre pronave janë figura politike të së kaluarës dhe së tashmes, të të dyja kampeve, të cilat i lidh një interes i përbashkët: pushteti përmes pronës dhe pronës përmes pushtetit. Rasti më konkret që e ilustron këtë fakt është pazari politik mes Edi Ramës dhe Sali Berishës në Vlorë pas dorëheqjes së drejtorëve dhe futjes së një pjese të madhe demokratësh, i cili së fundmi po jep frytet e para. Emërimi i Genc Deromemajt, ish-kreut të Partisë Demokratike të Vlorës, si drejtues i Kadastrës, ka shpërthyer tani me mbushje xhepash për pushtetarët, por me pasoja shumë të rënda për qytetarët.
Burime bëjnë me dije se pas marrjes së detyrës, Deromemaj dyshohet se ka bllokuar shërbimet e Hipotekës, duke krijuar një kaos të vërtetë. Shërbimet për certifikatat dhe kartelat e pasurive, që janë themelore për çdo qytetar dhe biznes, janë bllokuar totalisht, duke e lënë Vlorën në një situatë katastrofike. Kjo situatë ka ndikuar jo vetëm individët, por edhe bizneset, bankat dhe kredimarrësit, të cilët po përballen me një problem të madh ligjor dhe ekonomik. Ndërkohë, qytetarët nuk mund të kryejnë asnjë transaksion ligjor, sepse nuk mund të marrin dokumente të rëndësishme që janë thelbësore për çdo aktivitet të ndershëm financiar.
