Në Kalanë e Rozafës në Shkodër dhe atë të Lëkurësit në Sarandë është parashikuar që të kalojnë tek privati për një shfrytëzim me qira 20 vjeçare dy ambiente shërbimi.
Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit ka bërë të ditur se kjo procedurë që parashikon dhënien në përdorim të pasurisë kulturore publike bën pjesë në atë që njihet si rijetësim.
Lidhur me kalanë e Lëkurësit në Sarandë njoftimi saktëson se bëhet fjalë për një sipërfaqe 862 m2.
“Ambient shërbimi në Kalanë e Lëkurësit, Sarandë, me sipërfaqe prej 862 m2. Kalaja e Lëkurësit ndodhet midis rrënojave të fshatit Lëkurës të braktisur në vitin 1878, mbi majën e një kodre të lartë që ngrihet në formën e një piramide.
Kalaja gëzon statusin “pasuri kulturore” rikonfirmuar me urdhër nr. 482, datë 1.8.2023 të ministrit të Kulturës, si dhe VKM-së nr. 730, datë 13.12.2023, “Për deklarimin pasuri kulturore e paluajtshme e zonave arkeologjike A dhe B të qytetit të Sarandës, Kalasë së Lëkurësit e Manastirit të 40 Shenjtorëve, dhe miratimin e zonimit e të planit për ruajtjen, mbrojtjen dhe administrimin e tyre” thuhet në dokument.
