“Universitetet po shuhen – a është kjo forma moderne e gjenocidit të dijes?”

Data

Nga   Ndokë   Kola

Dikur ishin të mbushura me zëra, ide, debate. Sot, universitetet tona janë kthyer në hapësira bosh, ku mungon energjia, kurioziteti dhe më e rëndësishmja: rinia. Ajo që po ndodh me arsimin e lartë në Shqipëri nuk është vetëm një krizë – është një shuarje e qëllimshme, sistematike dhe e heshtur.

Kemi të bëjmë me një formë moderne të gjenocidit të dijes – jo me tanke, por me shpërfillje. Jo me zjarr, por me mospërfillje totale ndaj arsimit, kërkimit, dijes dhe të rinjve që i përkasin këtij vendi.

Nuk është zbrazje, është braktisje

Në vitin 2013, kishim mbi 150 mijë studentë në arsimin e lartë. Sot, më 2025, shifra është rrudhur ndjeshëm. Universitetet publike kanë më pak studentë se asnjëherë në dekadën e fundit. Emigrimi është bërë rruga kryesore. Dhe nuk është se këta të rinj po ikin për qejf. Po ikin sepse vendi i tyre i ka përzënë, jo fizikisht, por moralisht.

Ata nuk besojnë më se Shqipëria i vlerëson për atë që janë. Sepse këtu, diploma është letër. Universiteti është burokraci. Dija është e pakuptimtë. Dhe e ardhmja është emigrim.

Një qeveri që i ka shpallur luftë universitetit

Në vend që t’i forcojë, i ka lënë në agoni. Financohet propaganda, jo kërkimi shkencor. Ndërtohen fasada, jo biblioteka. Rriten tarifat, ulen pritshmëritë. Pedagogët ose dorëhiqen, ose heshtin. Disa edhe nënçmohen publikisht.

Në këtë realitet, si mund të mos e quajmë këtë një vrasje të dijes me leje shtetërore?

A ka Shqipëria më nevojë për dijen?

Në këtë vend, na mungon gjithçka: drejtësia, besimi, shpresa. Por më shumë se gjithçka, na mungon dija. Dhe kur nuk kultivon më dije, kur e braktis universitetin, kur të rinjtë nuk duan më as të studiojnë këtu, as të punojnë këtu, çfarë lloj vendi jemi duke ndërtuar?

Një vend që vetëvritet nga truri, nuk ka të ardhme – ka vetëm fund.

Universitetet nuk po shuhen nga mungesa studentësh.

Po shuhen nga mungesa vullneti për t’i mbajtur gjallë.

Dhe kjo është më shumë se krizë – është një akt i qëllimshëm i shkatërrimit të kombit përmes shpërbërjes së dijes.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related