Nga Anxhela kola
Në Shqipëri nuk po ikin vetëm studentët. Po ikën arsyeja për të pasur universitet. Auditorët janë bosh. Pedagogët po heshtin, ose po ikin. Diplomimi është kthyer në një ceremoni pa kuptim, dhe shteti… po bën sikur nuk ndodh asgjë.
Po ju them troç: kjo që po ndodh është një gjenocid universitar.
Jo në kuptimin klasik të fjalës – nuk ka tanke e pushkë në kampus. Ka diçka më të rafinuar dhe më të rrezikshme: mospërfillje sistematike, zbrazje të qëllimshme, përbuzje të dijes, dhe shkatërrim institucional me dorën e shtetit.
A nuk është kjo një formë e zhdukjes së dijes kombëtare?
Universitetet tona nuk janë bosh sepse nuk ka rini. Janë bosh sepse rinia nuk do më të jetojë në një vend që e poshtëron përditë. Në një vend ku diploma nuk vlen, ku arsimi nuk të çon askund, ku qeveria të sheh si statistikë, jo si shpresë.
Në vitin 2013, universitetet publike kishin mbi 150 mijë studentë. Sot mezi kapin 120 mijë. Dhe jo sepse janë përmirësuar filtrat e pranimit. Por sepse të rinjtë kanë bërë zgjedhjen më të dhimbshme: të ikin.
Dhe po, kjo është vepër politike
Nuk është ndonjë tragjedi natyrore. Nuk është faji i pandemisë. Është faji i një qeverie që investon më shumë në fasada sesa në dije. Në tendera sesa në laboratorë. Në propagandë sesa në arsim.
Dhe përballë këtij rrënimi, s’ka as përgjegjësi, as reflektim. Ka vetëm arrogancë. Po, të njëjtën arrogancë që tall studentët si dembelë, pedagogët si të paaftë, dhe opinionin publik si “kazan”.
Kjo nuk është më një krizë – është një zhdukje me leje
Nëse nuk e quajmë këtë gjenocid ndaj dijes, atëherë çfarë është?
Po zhdukim vetë themelet e ekzistencës sonë si shoqëri që do të quhet e qytetëruar. Po i largojmë të rinjtë me dëshirë. Dhe më e rënda: po i detyrojmë të mos kthehen më.
Në fund, pyetja nuk është më: a do të kemi universitete nesër?
Por: kë do të qeverisë Rama kur vendi të mbetet bosh?
