Zeqir Kordhoni, daja i Endrit Shabanit u bë shkaku i një përplasje të ashpër mes nipit të tij dhe Adriatik Lapajt për mandatin e vetëm të fituar nga koalicioni “Nisma Shqipëria Bëhet” më 11 Maj.
Kordhoni iu drejtua me shkresë KQZ ku kërkoi që të merrte mandatin, pasi Lapaj nuk mbajti fjalën e dhënë, ndërsa ky i fundit dyshohet se pas këtij “skenari” qëndronte Endrit Shabani.
Në një intervistë për A2 CNN, Shabani deklaroi se nuk ka qenë ai që e ka propozuar apo futur dajën e tij, Zeqir Kordhoni në listë, duke e konsideruar si një gabim të orës 12 të natës, kur dhe u dorëzuan listat në KQZ. Ai tha se kishte propozuar Majlinda Zikon, por ishin më shumë gra seç duhej dhe më pas futën Zeqir Kordhonin.
Po ashtu, edhe futjen e ish-deputetit të PD-së Dashnor Sula filllimisht në listë, Endrit Shabani e ka konsideruar si një gabim të orës 12 të natës, duke shtuar se nuk ka qenë ai që i ka bërë negociata dhe se ai ka qenë kundër.
“Ligji i jep të drejtën kreut të koalicionit që të dorëzojë listat. Ne thjesht propozonim lista. Ne kemi çuar listën tonë të dielën dhe ato janë dorëzuar të mërkurën në 12 të natës. Çdo punë që bëhet në mes të natës ka gabime dhe një nga këto gabime ka qenë edhe kjo e zotit Sula, që iu faturua Nismës Thurje. Edhe zoti Zeqir Kordhoni nuk është propozuar nga Nisma Thurje për listën e mbyllur. Çuam 3 kandidate për listën e mbyllur të Tiranës. Por, kishin çuar më shumë gra seç duhej dhe e zëvendësuan Majlinda Zikon e vendit të nëntë dhe futën Zeqir Kordhonin. Edhe zoti Sula u fut në 12 të natës dhe të nesërmen në mëngjes kërkonte garanci te lista e mbyllur. Negociatat me zotin Sula nuk i kam bërë unë. Unë kam pasur kundërshtitë e mia për disa kandidatë dhe parti të vjetra që donin të bëheshin pjesë e koalicionit. Ka pasur parti të tjera, shumë të vjetra, të cilat donin të bëheshin pjesë e koalicionit, por unë isha kundër sepse doja të ishim të gjithë të rinj” – sqaroi Shabani.
