Në nëtor të vitit të kaluar, Ermal Dredhës i vunë një minë me sahat në duar. Në protokollin e Bashkisë kishte mbërritur një e ashtuquajtur shprehje interesi për të ndërtuar një central të madh diellor në Kaninë.
Projekti parashikonte të shtrihej në një sipërfaqe 830 hektarë duke përlarë praktikisht të gjithë faqen e Malit të Kaninës, e njohur ndryshe si ekonomia Shashicë-Gumenicë, atje ku qindra banorë të zonës kishin ndërtuar ekonominë e tyre blegtorale.
I vënë përpara presionit të madh që vinte nga Tirana, Ermal Dredha filloi procedurat. Fillimisht duke caktuar një seancë dëgjimore me banorët e Kaninës.
“Janë gati 800 e ca hektarë që ne duam t’i vendosim në një fazë studimi. Pra bëhet fjalë për strategjinë që ka qeveria shqiptare sa i përket edhe pjesës së potencimit të energjisë së rinovueshme. Ideja është që ne e kemi si detyrim ligjor, që kushdo që ka një shprehje interesi të vazhdojmë proçedurat ligjore,” u përpoq të justifikohej kryebashkiaku i Vlorës para banorëve të Kaninës.
