Kryeministri Edi Rama i ka kërkuar kryebashkiakëve në të gjithë vendin që të reformojnë stafet e tyre në varësi, duke kërkuar largimin, përmes dorëheqjeve apo shkarkimeve, të nënkryetarëve të Bashkive, administratorëve dhe drejtorëve në njësitë e qeverisjes vendore.
Urdhëri i Ramës ka nisur të zbatohet, ndërsa vala e dorëheqjeve të imponuara nuk ndalet në ato që konsiderohen si pozicione të nivelit të lartë apo të mesëm në Bashkitë e vendit. Me përjashtim të bashkive që drejtohen nga demokratët, të cilët e konsiderojnë urdhërin e Kryeministrit si politik, në shumë prej bashkive të drejtuara nga socialistët ka nisur etapa e dytë: ajo e njoftimeve, qoftë edhe fiktive, ku ftohen qytetarët që të aplikojnë për vendet vakante, pas dorëheqjeve masive.
Janë me qindra drejtorë, administrator dhe nënkryetarë të Bashkive që brenda pak ditësh kanë depozituar kërkesat për largim nga funksionet. Por duket se kanë mbetur edhe 3 Bashki që ende nuk po i binden Ramës. Pavarësisht se kanë një peshë shumë më të vogël se Bashkitë tashmë të boshatisura, duket se në morinë e madhe të pushtetit socialist në njësitë e qeverisjes vendore, 3 kryebashkiakë kanë dalë nga ‘rreshti’.
