Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, ka anuluar së fundmi tenderin për ndërtimin me koncesion të autostradës Milot–Balldren, një aks me gjatësi vetëm 17 kilometra, por me vlerë miliardëshe. Në pamje të parë, arsyeja është teknike: “Asnjë ofertë nuk përmbushi kriteret”, thuhet në buletinin e APP-së. Por në prapaskenë ka shumë më tepër. Anulimi i këtij tenderi nuk është i rastësishëm. Ai ndodhi pak kohë pasi SPAK mori të pandehur kreun e Agjencisë së Prokurimeve Publike, Jonaid Myzyrajn, njeriu që konsiderohet si krahu i djathtë i Belinda Ballukut.
Një segment i vogël, por një thes me para
Autostrada Milot–Balldren është pjesë e të ashtuquajturit Korridor Blu. Vetëm ndërtimi i saj do të kushtonte 182.5 milionë euro. Por me mirëmbajtje, operim dhe interesa financiare, shifra kap vlerën 365 milionë euro për 35 vite. Përfitimet që pritet të mbledhë kompania koncesionare nga tarifat e përdorimit llogariten në rreth 1 miliard euro. Në këtë garë konkurruan ANK, Gener 2 e Bashkim Ulajt, Salillari dhe 4 A‑M. Por favoriti real, sipas zërave nga brenda sistemit, ishte sërish kompania ANK. Kjo e fundit ofroi tarifën më të ulët për automjetet e lehta: 1.6 euro, kundrejt 1.9 eurove të ofruara nga dy rivalët kryesorë, Salillari dhe Gener 2.
