Nga Veriu në Jug, një valë e pashembullt dorëheqjesh ka goditur të gjitha bashkitë e vendit, duke shkundur themelet e pushtetit lokal dhe duke rrezikuar funksionimin normal të administratës. Mbi 2 mijë drejtorë, shefa sektorësh, administratorë dhe zëvendëskryetarë janë detyruar të firmosin dorëheqjet, pas një ultimatumi të drejtpërdrejtë nga Kryeministri Edi Rama, i cili u kërkoi kryetarëve socialistë të largojnë të gjithë drejtuesit për të bërë “pastrim stafi”. Por përveç ultimatumeve publike, burime të sigurta nga mbledhjet e zhvilluara ditët e fundit nga kryeministri Rama me deputetë, kryetar bashkie dhe drejtues politik të Partisë Socialiste, tregojnë se ky urdhër i paprecedentë është dhënë me tone kërcënuese, duke paralajmëruar se nëse drejtuesit nuk shkarkohen, “të largohen vetë kryetarët e bashkive”. Mirëpo kjo ndërhyrje brutale në pushtetin vendor po krijon një kaos të frikshëm institucional, pasi shumë bashki po ngelen pa administratë funksionale dhe pa njerëz në poste kyçe.
Disa drejtues lokalë që kanë refuzuar urdhrin, si në rastin e Konispolit, janë vënë përballë presionit të drejtpërdrejtë të Ramës. Ekspertët ligjorë paralajmërojnë se të gjithë të dorëhequrit kanë të drejtë të kërkojnë dëmshpërblim ligjor, pasi dorëheqjet e tyre nuk janë vullnetare, por të detyruara nën presion politik. Kjo do të thotë se kapriçot personale të Kryeministrit do t’i paguajë taksapaguesi shqiptar, duke rënduar më tej buxhetin publik. Madje nëse situata vijon me këtë ritëm, pushteti vendor rrezikon kolapsin total, ndërsa qytetarët mbeten pa shërbime bazë për shkak të boshatisjes masive të institucioneve. Megjithatë ky është një skenar i frikshëm që ngjan me grusht institucional, ku një njeri i vetëm tenton të kontrollojë çdo hallkë të shtetit. Pra kjo panoramë tregon se Shqipëria është sot përballë një krize të hapur të demokracisë vendore, me pasoja të pallogaritshme për funksionimin e qeverisjes lokale.
