Shoqata e të Zgjedhurve Vendorë të Shqipërisë i ka dërguar një letër institucioneve evropiane, ku denoncon uzurpimin e pushteteve nga ana e kryeministrit Edi Rama, duke u kërkuar atyre të ndërhyjnë për të rikthyer demokracinë vendore. Në raportin urgjent drejtuar autoriteteve evropiane, të zgjedhurit vendorë denoncojnë faktin se Edi Rama ka rrëmbyer kompetencat e pushtetit vendor një veprim që është denoncuar edhe nga lideri i opozitës, Sali Berisha, i cili deklaroi se opozita do të ndjekë me vëmendje shkeljen e autonomisë vendore nga kreu i qeverisë. Më tej në letrën dërguar organeve të Këshillit të Evropës, Bashkimit Evropian dhe ambasadave të huaja në vend, Shoqata e të Zgjedhurve Vendorë, ku bëjnë pjesë vetëm bashkitë opozitare dhe e kryesuar nga kryebashkiaku i Kavajës Fisnik Qosja, duke denoncuar shantazhet dhe thirrjet antikushtetuese të Edi Ramës, sjell në vëmendje shembuj konkretë që tregojnë se veprimet dhe praktikat ligjore të kreut të qeverisë bien ndesh me ligjet e vendit, si edhe me Kartën Evropiane të Autonomisë Vendore.
I paaftë për t’u dhënë zgjidhje problemeve të shkaktuara nga vetë ai, kryeministri po paraqet si përgjegjës të situatës së rëndë pushtetarët vendorë numrin e të cilëve, për nevoja elektorale, vetë e ka dyfishuar, ndërkohë që u ka zeruar kompetencat dhe burimet financiare. Tashmë është e qartë për të gjithë se qeveria shqiptare ka dështuar në ofrimin e tre shërbimeve publike thelbësore për qytetarët dhe për kërkesat e kohës: Në shërbimin e ujësjellës-kanalizimeve; Në mbledhjen dhe përpunimin e mbeturinave dhe mbetjeve urbane; Në trajtimin dhe përpunimin teknologjik të ujërave të zeza dhe atyre të ndotur. Tre kompetenca këto që kryeministri ia ka rrëmbyer pushtetit vendor. Raporti urgjent i të zgjedhurve vendorë u bën thirrje autoriteteve evropiane të ndërhyjnë menjëherë për t’i dhënë fund uzurpimit të kompetencave të tyre nga ana e Edi Ramës, si dhe për të rikthyer demokracinë vendore, decentralizimin dhe vetëqeverisjen lokale në Shqipëri.
