Pas një sherri fatal midis dy adoleshentëve, qeveria Rama vendosi të ndalojë ‘TikTok’ për një vit por shumica e njerëzve vazhdojnë ta përdorin aplikacionin i cili hapet normalisht duke përdorur VPN.
Ky është realiteti prej rreth tre muajsh për të gjithë ata që përpiqen ta përdorin aplikacionin në Shqipëri.
Elind Selenica ma tregon në telefonin e tij, ndërsa jemi ulur në një kafene në fund të majit në kryeqytetin shqiptar, Tiranë. Duhen vetëm disa sekonda që ai të aktivizojë një VPN dhe të përdorë sërish TikTok. VPN-ja ndryshon adresën IP të telefonit të tij. Thënë thjesht: duket sikur ai ndodhet në një vend tjetër.
Bllokimi erdhi pas një ngjarjeje tragjike në një shkollë në Tiranë. Dy nxënës u përfshinë në një konflikt, të cilin e kishin zhvilluar edhe përmes TikTok-ut: në nëntor 2024, njëri prej tyre goditi tjetrin me thikë. Viktima ishte vetëm 14 vjeç. Qeveria shqiptare reagoi me një ndalim të plotë të TikTok-ut në të gjithë vendin – deri më tani, si i vetmi vend në Europë që ka ndërmarrë një hap të tillë. Ndërsa në mbarë botën diskutohen kufizimet për TikTok-un, masa e rreptë e qeverisë shqiptare mbetet unike.
Për kryeministrin shqiptar Edi Rama, aplikacioni kinez TikTok është fajtor i drejtpërdrejtë për incidentin. “TikTok është si një rrugaç në lagje dhe ne do ta dëbojmë këtë rrugaç për një vit nga lagjja jonë,” tha ai si arsye për bllokimin. Sipas tij, të rinjtë radikalizohen në këtë platformë dhe zhvillojnë më shumë prirje ndaj dhunës – megjithëse autoriteti shqiptar i mbikëqyrjes së mediave kishte tashmë një bashkëpunim me TikTok për të rregulluar përmbajtjet.
