Fundjavën që lamë pas, fadromat e Inspektoratit Ndërtimor prishën një parkim privat mes dy pallateve, në rrugën “Sami Frashëri” në Tiranë, shumë pranë gjimnazit “Petro Nini Luarasi”, në kuadër të nismës së shpallur nga kryeministri Edi Rama për pastrimin e territorit.
Ajo që duhet të ishte një procedurë rutinore institucionale, në fakt është një tentativë për të mbuluar neglizhencës totale të qeverisë dhe Bashkisë së Tiranës për të paktën dy vite.
Ky parkim, në zonën e ish-Bllokut, një prej qendrave më të populluara dhe të frekuentuara në Tiranë, është bërë shkak për një përplasje të fortë verbale, por edhe institucionale, mes banorëve të pallateve dhe një personi nga Fieri, A.P, i cili u ka deklaruar atyre se ishte pronar i tokës.
