Ministrja Denaj: Mbjelljet në serra pritet të rriten me 1 mijë hektarë, fruta perimet kryesojnë eksportet

Data

Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj u shpreh dje se bujqësia ka arritur një model suksesi falë investimeve të sipërmarrjes bujqësore në mbarë vendin, duke arritur në 572.4 milionë dollarë eksporte deri në fund të vitit 2024, ndërsa shifrat ishin rreth 100 milionë dollarë eksporte në vitin 2013. Gjatë takimit me kryetarët e bashkive, për performancën lokale në funksion të vizionit “Shqipëria 2030”, ku i pranishëm ishte edhe Kryeministri Edi Rama, ministrja Denaj pohoi se investime janë kryer në 400 pika të përpunimit të produkteve agrobujqësore, si edhe ngritjen e shumë dhomave frigoriferike që ndihmojnë dhe cilësinë e produktit, ndërtimit të serave.

“Kemi qenë në 700 hektarë serra dhe jemi sot në 2164 hektarë serra. 122 agroturizma, ndërsa kemi filluar në 2016-ën me zero agroturizma. Dhe të gjitha këto kanë krijuar këtë sinergji si në raport me eksportet me një rritje gati pesëfish dhe të një oferte ushqimore e presioni në rritje të turistëve që vijnë që na ka detyruar që të kemi një ofertë ushqimore në vend që e kalon eksportin me 1.5 herë”, tha ajo. Denaj tha se të gjithë duhet të jenë të fokusuar te produkti që prodhohet. “Flitet shumë për statistikat në bujqësi, por duhet të fokusohemi tek ato produkte që bëjnë sens. Në statistikat e vitit 2024, frutat dhe perimet janë produktet që na nderojnë në eksport, ku pemët frutore janë rritur 3.1%, agrumet 4.3, ulliri me 26.3% rritje vjetore. Këto janë produkte që ne duhet t’i maksimalizojmë sepse tregu për këto produkte ka nevojë dhe në momentin që në 2030 ne futemi në BE, edhe tregu i ofertës vendase do të jetë me produkte eksporti”, pohoi Denaj.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related