Skena politike shqiptare është përfshirë nga një vorbull lëvizjesh politike. Në qendër të vëmendjes qëndrojnë dy figura të rëndësishme, njëri i liruar, ndërsa tjetri ende pas hekurave, duke shënjuar një moment kritik për balancat e pushtetit në vend. Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji, u lirua ditën e djeshme me kusht nga Gjykata e Fierit, pasi kreu mbi 9 muaj burg nga dënimi prej një viti për kallëzim të rremë në dosjen “Babalja”. Raportet pozitive të Shërbimit të Provës dhe Drejtorisë së Burgjeve, institucione që varen drejtpërdrejt nga Ministria e Drejtësisë, e drejtuar nga Ulsi Manja, përforcuan kërkesën e avokatëve për lirimin e tij. Vetë Salianji e cilësoi dënimin si politik dhe u zotua për një rikthim të menjëhershëm në jetën aktive politike.
Ndërkohë, në kahun tjetër të skenës, Erion Veliaj mbetet i izoluar dhe në qeli, i braktisur nga kreu i mazhorancës që dikur e promovonte si pasardhës të tij. Gjykata e Lartë refuzoi çdo apel të avokatëve të tij, duke i lënë të kyçura dyert e paraburgimit për kryetarin e kryeqytetit. Nën hetim për korrupsion dhe pastrim parash, Veliaj është bërë tani një barrë politike për Partinë Socialiste, dhe kryeministri Edi Rama duket se nuk ka ndërmend ta mbajë më mbi supe. Në prapaskenë, kryeministri Rama ka nisur të ndërtojë strategjinë për pasardhësin në Bashkinë e Tiranës.
