Nga zbërthimi i një telefoni që kishte përdorur vite me parë deputetja Monika Kryemadhi u zbuluan qindra mesazhe të shkëmbyera mes saj dhe dhjetëra personave të tjerë, zyrtarë të lartë institucionesh, biznesmenë, përfshirë dhe pronarë televizionesh. Me anë të këtyre mesazheve hetimet e SPAK zbuluan një skemë komplekse financiare që përfshin pagesa prej 8 miliardë lekësh nga Vodafone Albania drejt kompanisë së Adrian Shatkut kushëririt të Monikës, me përfitime të dyshuara për çiftin Ilir Meta dhe Kryemadhi.
Skema tregon mënyrën se si çifti ka përdorur ndikimin e tyre politik dhe lidhjet personale për të orkestruar marrëveshje në prapaskenë, përfshirë organizimin e takimeve private, aktivizimin e drejtuesve të institucioneve dhe përfshirjen e dy biznesmenëve si sekserë, Theodhori Çami, Marin Gjonaj. Sipas hetimeve, kompania e Adrian Shatkut ishte hallka kryesore për kanalizimin e fondeve. SPAK ka evidentuar transaksione të mëdha financiare midis Vodafone Albania dhe kompanisë në fjalë, të cilat dyshohet se u përdorën për përfitime të çifti Meta-Kryemadhi.
Dokumentet tregojnë se këto marrëveshje ishin të lidhura me ndikimin politik dhe ekonominë e kontrolluar nga Meta dhe Kryemadhi. SPAK ka mbledhur prova që tregojnë se çifti përdorte vilat e tyre për të organizuar takime private mes palëve të interesuara, përfshirë drejtues të AKEP-it (Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare) dhe biznesmenë me lidhje të fuqishme. Këto takime duket se ishin platforma për të negociuar marrëveshje që përfitonin palët e përfshira, ndërsa një pjesë e përfitimeve përfundonte te Meta dhe Kryemadhi.
