Edi Rama “de facto”, pas drejtimit të Bashkisë së Tiranë, tashmë ka marrë nën kontroll të plotë edhe atë të Vlorës, duke cënuar drejtpërdrejt autonominë e pushtetit vendor.
Pasi u kërkoi shkarkimin 21 drejtorëve në takimin e mbajtur të enjte dhe të nesërmen ata e zbatuan në rresht për një, Rama shkoi sërish sot në Bashkinë e Vlorës dhe hapi aplikimet për drejtorët e rinj.
Rama deklaroi se asnjë prej drejtorëve të mëparshëm nuk do të riemërohet sërish, duke pretenduar se të gjithë drejtorët do të jenë të rinj, duke u bërë thirrje për aplikim pedagogëve që t’i bashkohen administratës së Bashkisë.
“Secilit dhe secilës mund t’u jepen mundësi të reja në të ardhmen. Por ndërkohë dua t’i ftoj të gjithë burrat, gratë dhe vajzat profesioniste që të aplikojnë për të shërbyer në administratën e bashkisë së Vlorës, duke i siguruar që ne do të jemi shumë kërkues dhe shumë rigorozë në funksion të meritës. Ata janë dorëhequr dhe i falënderoj e i përshëndes, dhe asnjë person që ka mbuluar pozicione drejtuese në bashkinë e Vlorës ose në qarkun e Vlorës nuk do të rimerret si drejtues në këtë fazë. Të gjithë drejtuesit do të jenë të rinj.
Kam një thirrje të veçantë për pedagogët e universitetit. Natyrisht që puna e tyre në universitet është shumë e vyer, por janë të mirëpritur të kontribuojnë më shumë për qytetin. Cilado dhe cilido prej tyre që do të dojë të afrohet në administratën e bashkisë apo në role drejtuese në administratën qendrore do të jetë i mirëseardhur. Vlerësimi pastaj do të bëhet sipas performancës së secilit në procesin përzgjedhës, i cili do të jetë një proces meritokratik. Po ashtu, të gjithë ata që kanë studiuar në Vlorë, në Tiranë, apo jashtë vendit dhe që janë të dëshiruar të shërbejnë për administratën e bashkisë apo të shtetit, por që ndërkohë punojnë kamarierë apo punë të tjera, janë të mirëpritur të konkurrojnë.” – tha Rama.
