Europa ka përjetuar mbi 790 miliardë euro dëme ekonomike si pasojë e motit ekstrem dhe ngjarjeve të lidhura me klimën nga viti 1980 deri në 2023, sipas një raporti të ri të Agjencisë Europiane për Mjedisin (EEA).
Gjermania ka pësuar humbjet më të mëdha në këtë periudhë, me kosto që arrijnë në 180 miliardë euro. Pas saj vijnë Italia, me kosto që kapin shifrën 135 miliardë eurove, Franca me 130 miliardë dhe Spanja me 97 miliardë euro. Megjithatë, panorama ka ndryshuar për shekullin XXI.
Duke marrë parasysh vetëm dëmet e këtij shekulli, Gjermania, Italia, Franca dhe Spanja ndiqen nga një grup prej gjashtë vendesh të BE-së, Austria, Belgjika, Çekia, Portugalia, Rumania dhe Sllovenia, të cilat kanë pësuar humbje të ngjashme në total, nga 12 deri në 15 miliardë euro.
Paneli Ndërqeveritar për Ndryshimet Klimatike i Kombeve të Bashkuara (IPCC) vlerëson se intensiteti dhe frekuenca e ekstremeve klimatike janë rritur në disa rajone europiane dhe priten të vazhdojnë zgjerimin me përparimin e ngrohjes globale.
Përmbytjet dhe valët e nxehtësisë kanë qenë shkaqet kryesore të dëmeve ekonomike në të gjithë BE-në. Ndërsa pasojat ekonomike më të mëdha në vendet më të pasura mund të duken domethënëse, ato zakonisht kanë ndikim më të vogël në ekonominë kombëtare, krahasuar me humbjet më të vogla të përjetuara nga vendet më të varfra.
