Afera e “Bankers Petroleum”/ Lihet në burg CEO kinez dhe ish drejtori Leonidha Çobe
Dje Prokuroria e Fierit doli me njoftim zyrtar lidhur me aksionin e zhvilluar në zyrat qendrore të kompanisë “Bankers Petroleum” në Fier. Prokuroria bën me dije se ka lëshuar 14 masa sigurie për veprat penale “Krijimi i skemave mashtruese lidhur me tatimin mbi vlerën e shtuar”, “Fshehja e të ardhurave”, “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, “Shpërdorimi i detyrës” dhe “Moskryerja e detyrave nga organet tatimore”.

Nga këto masa sigurie janë ekzekutuar vetëm 9 prej tyre ndaj personave drejtues të kësaj kompanie, mes tyre administratori aktual i shoqërisë, Hongping Xiao dhe ish-administratori, Leonidha Çobo. Ndërkohë në kërkim janë 5 shtetas të huaj. Gjithashtu bëhet me dije se nga hetimet e deritanishme ka rezultuar se shoqëria “Bankers Petroleum Albania Ltd”, prej 20 vitesh nuk ka paguar tatime, pavarësisht se janë nxjerrë e tregtuar sasi të konsiderueshme karburanti në zonat e njohura me rezerva nafte, Patos-Marinëz-Fier. Po ashtu nga hetimi, dyshohet se dëmi i shkaktuar në buxhetin e shtetit, përmes përfitimit të Tvsh-së, është në miliona euro.