Kolegji i Posaçëm i Apelimit, KPA i ka gjetur të drejtë shumicën e konkluzioneve të Komisionit në vetingun e prokurorit të Durrësit, Ilir Turja, duke e lënë në fuqi shkarkimin e tij. Problemet kryesore me të cilat u përball Turja kishin të bënin me investimet në një shtëpi banimi trekatëshe në qytetin e Durrësit, të regjistruar në pronësi të babait.
Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, KPK vendosi më 7 nëntor 2022 të shkarkojë nga detyra prokurorin e Turja, pasi arriti në përfundimin se ai kishte fshehur në emër të prindërve një vilë në zonën e plazhit me qëllim shmangien e kontrollit të ligjshmërisë së burimeve të krijimit; se kishte mungesë të burimeve financiare në disa vite; si dhe kishte kryer deklarim të pasaktë e të pamjaftueshëm të pasurisë. Ndërkohë, Turja u vlerësua pozitivisht për pastërtinë e figurës dhe profesionalizmin.
KPA i ka gjetur të pabazuar shkaqet e ngritur nga subjekti në aspektin procedural dhe ka vijuar shqyrtimin e çështjes për vetingun e prokurorit Turja në dhomë këshillimi, bazuar në aktet e administruara nga KPK. Po ashtu, shkaqet e ngritura në Kolegj për pasurinë nuk arritën të përmbysnin barrat e provës.
