Shqipëria është vendosur në fund të listës për cilësinë e jetesës në Europë, sipas raportit më të fundit të platformës ndërkombëtare Numbeo për gjysmën e parë të vitit 2025. Me një vlerësim total prej 104.1 pikësh në indeksin e cilësisë së jetës, Shqipëria zë vendin e 37-të ndër 37 shtete europiane të analizuara.
Ky renditje e bën Shqipërinë vendin me cilësinë më të ulët të jetës në kontinent për këtë vit, sidomos për fuqinë blerëse, çmimet e larta të apartamenteve në raport me të ardhurat dhe cilësinë e kujdesit shëndetësor, ku jemi të fundit në Europë.
Indeksi i Numbeo përllogaritet mbi bazën e tetë komponentëve kryesorë që përfshijnë fuqinë blerëse, sigurinë, cilësinë e shëndetësisë, koston e jetesës, raportin çmim të pasurisë ndaj të ardhurave, ndotjen, kohën e udhëtimit dhe klimën.
Të dhënat mblidhen nga përdorues të platformës dhe nga burime të tjera zyrtare dhe përditësohen në kohë reale për të reflektuar perceptimin dhe realitetin ekonomik e social të çdo vendi.
Në rastin e Shqipërisë, renditja në fund të listës është rezultat i disa faktorëve të kombinuar. Sipas nën indeksit të fuqisë blerëse, Shqipëria renditet e fundit, me një vlerësim prej 46.3 pikësh, duke u pozicionuar edhe më keq se Ukraina.
Niveli i ulët i fuqisë blerëse do të thotë se të ardhurat reale nuk përballojnë kostot e jetesës. Më herët, të dhënat e Eurostat treguar se çmimet e ushqimeve në Shqipëri e tejkaluan lehtë mesataren europiane, ndonëse për të ardhurat për frymë vendi është ndër të fundit në Europë. Një familje shqiptare shpenzon mesatarisht 40% të buxhetit për tu ushqyer, në krahasim me 13% që është mesatarja europiane, sipas Eurostat.
Edhe raporti mes çmimeve të pasurive të paluajtshme dhe të ardhurave është më i pafavorshmi në Europë. Ky raport mat përballueshmërinë e blerjes së një apartamenti.
Ai tregon sa vite të ardhurash neto familjare duhen për të blerë një apartament mesatar, ku një vlerë më e ulët nënkupton përballueshmëri më të mirë. Një familjeje shqiptare i duhen 16.3 vite, koha më e gjatë në Europë, ndërsa në Danimarkë dhe Belgjikë, që renditen më të lirat sipas fuqisë blerëse, duhen përkatësisht 6.1 dhe 6.8 vjet.
Edhe treguesit e lidhur me ndotjen dhe qasjen në shërbime shëndetësore mbeten problematikë dhe nën mesataren e Europës. Për ndotjen Shqipëria renditet e parafundit në Europë, duke lënë pas vetëm Maqedoninë e Veriut. Për sistemin e kujdesit shëndetësor, renditja e vlerëson Shqipërinë me cilësinë më të ulët në Europë.
