Sekretari i Shtetit Amerikan i Shtetit, Marco Rubio, ka bërë me dije një ndryshim të rëndësishëm në politikën e Departamentit Amerikan të Shtetit për shpalljen e personave “Non-grata”. Ky ndryshim përqendrohet në sanksionimin e trafikantëve të drogës, familjarëve të tyre dhe bashkëpunëtorëve të ngushtë personalë dhe të biznesit, duke vendosur kufizime të rrepta në lëvizjen e tyre, veçanërisht në hyrjen në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Në thelb, politika e re synon të mos lejojë që trafikantët e substancave narkotike dhe personat e lidhur me ta të kenë akses në SHBA, duke i penguar ata të hyjnë në territorin amerikan.
Përveç pengesës fizike, kjo masë do të shërbejë si një barrierë serioze kundër vazhdimit dhe zgjerimit të veprimtarive të paligjshme, duke goditur thelbin e rrjeteve kriminale. Ky vendim erdhi si një reagim ndaj krizës së thellë të fentanilit në SHBA, ku mbidozat nga droga janë kthyer në shkakun kryesor të vdekjeve tek amerikanët nga mosha 18 deri në 44 vjeç. Statistikisht, më shumë se 40 përqind e amerikanëve kanë njohur personalisht dikë që ka humbur jetën për shkak të mbidozës së opioidëve. Në vitin 2024, mesatarisht çdo ditë regjistroheshin mbi 220 vdekje nga mbidozat në SHBA, një shifër alarmante që ka tronditur opinionin publik dhe institucionet.
