Turizmi: sezon i ri, probleme të vjetra

Data

Ardhja e sezonit të ri veror, sjell (pa)natyrshëm dhe probleme të vjetra, të mbartura dhe të patrajtuara. Njëjtë si ujërat e përzier që derdhen rëndom në det pavarësisht miliona eurove të hedhura për diferencim të tyre në zonat bregdetare. Apo si miliona euro të tjera të bëra shkrumb e hi, njëjtë si zjarret që po bien nga jugu në veri dhe që rrallëherë u gjendet zjarrëvënësi.

Shpesh ngjan si një dorë që do të lirojë më tepër vend për xhunglën e ndërtimit që po gllabëron sipërfaqe gjithnjë e më të mëdha në një vend ku popullsia po firon. Pangopësia në veprim, e verbër ndaj realiteteve socio-ekonomike. Ndërkohë djegia e maleve të plehrave si në rastin e Vlorës në qiell të hapur janë kthyer në plagë të çdo fillimi të sezonit turistik. Një qytet i kapur mes rrugëve të shqyera, mungesës së ujit të pijshëm dhe kutërbimit të plehrave që digjen në qiell të hapur nuk ka se si të jetë miklues për mijëra turistë, vendas dhe të huaj që mund të ndjehen të dyzuar për përgjegjësinë, nëse barrën kryesore të fajit e ka qeverisja qëndrore apo ajo vendore.

Ky sezon turistik përtej euforisë së shifrave qeveritare ku një emigrant numërohet hem si i tillë, hem si turist, ka qenë përgjithësisht i dominuar nga apatia. Apati në përmbylljen e akseve rrugore në ndërtim duke filluar nga ai Tiranë-Durrës që përveç trefishimit të kostos fillestare nuk duket se ka ndonjë nxitim për ta përfunduar në afate optimale. Ndërkohë që edhe rruga alternative e Ndroqit u vendos të bëhet paralelisht në të njëjtën kohë duke e kthyer arterien kryesore të vendit në kaps. Premtimet për trena elektrikë, i dëgjojmë të përsëritura çdo dhjetëvjeçar, por ndërkohë që dekadat kalojnë, pritja ngjan me atë të Godosë së Beketit që aq shumë i pëlqen kryeministrit ta përmendë.

Ndërkohë vijojnë edhe të tjera probleme të vjetra. Për shembull, instancat shtetërore nga detyrimi i kontrollit të vijës bregdetare te rojtarët e munguar të plazheve, pra me neglizhencën e tyre, kanë shkaktuar jo pak plagë që lënë gjurmë jo vetëm te ato pak familje që janë prekur nga tragjedia, përfshirë disa raste mbytjesh, por edhe te një komunitet shumë më i gjerë. Duke dëmtuar dhe pjesën e turizmit që është gjenerator punësimi në këtë sezon.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related