Ndërsa Gjykata e Lartë pritet të vlerësojë masën e sigurisë ndaj kryetarit të bashkisë Tiranë, Erion Veliaj, i cili përballet me akuza për korrupsion dhe pastrim parash, ai ka nisur një fushatë të kushtueshme PR-i jashtë vendit – në një përpjekje për të bindur publikun në Shqipëri, një proces që ngre pyetje mbi kufijtë mes informimit dhe manipulimit.
Zyra ligjore britanike “Mishcon de Reya LLP” dhe ajo amerikane “Kasowitz LLP”, të cilat deklarojnë se përfaqësojnë kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, publikuan të martën, një raport ku pretendojnë se ai po mbahet në burg në mënyrë të padrejtë.
Raporti, i cili nis me një citim të Alistair Campbell – ish-këshilltar për mediat i ish-kryeministrit britanik Tony Blair dhe i atij shqiptar Edi Rama, pretendon se mbajtja në paraburgim e Veliajt shkel Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut.
Një informacion i përmbledhur mbi këtë raport ku vihej theksi në ‘arrestimin e padrejtë’ të Veliajt u publikua po atë ditë në disa rrjete mediatike të studios amerikane në një mekanizëm që në fushën e komunikimit njihet si operacion i marrëdhënieve me publikun (PR).
Fillimisht lajmi mbi këtë raport u publikua në një uebsajt (prnewswire) që ofron shërbime me pagesë, të tilla si artikuj PR-i, një praktikë kjo e njohur tashmë në botë dhe më pas duke cituar studion si ofrues i përmbajtjes dhe duke bashkëngjitur linkun e këtij portali, ai u publikua dhe në dy kanale TV lokale – pjesë të rrjetit medias së njohur amerikane Fox.
