Krerët e 27 vendeve anëtare të Bashkimit Evropian do të mblidhen sot në Bruksel për të biseduar për sanksione më të ashpra kundër Rusisë, mënyrat për t’i shmangur tarifat e reja nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si dhe mënyrën për ta bërë zërin e tyre të dëgjohet në konfliktet në Lindjen e Mesme.
Shumica e liderëve do të vijnë nga një samit i shkurtër, por intensiv i NATO-s, ku ata u zotuan të mërkurën për një rritje të madhe të shpenzimeve për mbrojtje dhe kufizuan disa prej dallimeve të tyre me presidentin amerikan, Donald Trump.
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, do të marrë pjesë në samitin e BE-së përmes video konferencës, pas takimit të tij me Trumpin të mërkurën në Hagë. NATO, e udhëhequr nga SHBA-ja, nuk i kushtoi rëndësi Ukrainës gjatë samitit, por lufta e Rusisë në Ukrainë mbetet shqetësimi kryesor për BE-në.
