Eksperiment i kushtueshëm: Italia peshon kostot e qendrave për refugjatët në Shqipëri

Data

Tashmë me funksion të ndryshuar për shkak të sfidave ligjore, qendrat e azilkërkuesve të Italisë në Shqipëri kanë kushtuar më shumë se sa ishte planifikuar fillimisht, dhe shumë më tepër se objekte të ngjashme në Itali, duke ofruar kështu një mësim për qeveritë e tjera evropiane që mund të tundohen të ndjekin të njëjtën rrugë

Nga Vladimir Karaj dhe James Imam

Kur Gigi Calesso lexoi në gazeta për rritjen e kostos së qendrave për emigrantët e Italisë në Shqipëri, ai u trondit shumë. Si një aktivist i së majtës për çështjet mjedisore dhe të drejtat e njeriut, administratori bankar gjashtëdhjetëvjeçar nga Treviso, afër Venecias në verilindje të Italisë, e kishte ndjekur me kujdes sagën që nga vjeshta e vitit 2023.

Ishte atëherë kur Giorgia Meloni, kryeministrja e djathtë e Italisë, kishte njoftuar një plan për të ulur numrin e azilkërkuesve që përpiqen të hyjnë në Itali, duke i devijuar ata matanë detit, drejt Shqipërisë, për shqyrtim dhe – me shumë gjasë – për riatdhesim.

Bashkimi Evropian ishte i interesuar të shihte si do të funksiononte kjo, me presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, që e lavdëroi Meloni-n duke u shprehur se kishte menduar “jashtë kornizave”, edhe pse organizatat për të drejtat e njeriut shprehën indinjatë.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related