Ervin Demo dha dorëheqjen nga detyra e kryetarit të bashkisë së Beratit më 11 mars për t’i hapur rrugë kandidimit të tij për deputet në listat e Partisë Socialiste. Brenda ditës, dorëheqja e tij u depozitua tek Perfekti i Beratit dhe në të njëjtën ditë Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Ministrave njoftoi Komisionin Qendror të Zgjedhjeve për aktin e dorëheqjes, veprime ligjore pa të cilat kandidatura e tij nuk do të mund të zyrtarizohej në afatin fundor më 12 mars
E njëjta procedurë u ndoq dhe me dorëheqjen e kryebashkiakut të Matit, Agron Malaj dhe atij të Tepelenës, Tërmet Peçi, të dy kandidatë fitues në listat e PS-së në zgjedhjet parlamentare të 11 majit.
Por ndërsa kanë kaluar 3 muaj nga dorëheqjet e kryebashkiakëve socialistë, Presidenti i Republikës, Bajram Begaj nuk ka shpallur ende datën e zgjedhjeve të pjesshme në këto 3 bashki, edhe pse ligji parashikon si afat detyrues për zhvillimin e tyre deri në 45 ditë nga momenti i njoftimit të dorëheqjes.
Kushtetuta e Shqipërisë i njeh në nenin 92 Presidentit kompetencën e caktimit të datës së zgjedhjeve për Kuvendin, organet e pushtetit vendor si dhe për zhvillimin e referendumeve. Kjo kompetencë është e kufizuar në kohë nga neni 10 i Kodit Zgjedhor, i cili specifikon se :“Në rast të ndërprerjes së mandatit, për shkaqet e parashikuara në nenin 115 të Kushtetutës, zgjedhjet mbahen jo më parë se 30 ditë dhe jo më vonë se 45 ditë nga data e njoftimit të ndërprerjes së mandatit”.
Presidenca nuk iu përgjigj pyetjes së BIRN-it për arsyet e moszbatimit të ligjit, ndërsa në një situatë të ngjashme në bashkinë Kukës në qershor 2023, ky institucion pretendoi se nuk mund të merrte vendime pa u njoftuar zyrtarisht me shkresë nga kryeministria për vakancën e krijuar.
