Tenderët e spërkatjes kundër mushkonjave të zonave bregdetare dhe urbane janë nën hetim nga Prokuroria e Posaçme dhe Prokuroria e Tiranës, ku janë regjistruar procedime penale. Para pak kohësh, kreu i Komisionit të Prokurimit Publik, Jonaid Myzyri, u paraqit disa herë para hetuesve dhe prokurorëve të SPAK-ut, teksa atë e “pickuan” insektet e vogla. Ai dyshohet për shpërdorim detyre dhe favorizim te kompanive pjesëmarrëse në tendera, teksa shpalli fitues ato që ofruan më shumë. Madje, Myzyri guxonte dhe nuk zbatonte as vendimet e Gjykatës Administrative të Apelit, pavarësisht se ishte një vendim i formës së prerë.
Një arrogancë e frikshme e Myzyrit, teksa ndaj tij dhe kompanisë që ai favorizon gjithmonë, NRG, janë regjistruar procedime penale. VoxNews ka ndjekur në vijimësi këto procedura dhe hetime, teksa në këto radhë do të ndalemi te një tjetër aferë e Myzyrit dhe NRG-së, ku ai me vendime të befta, ka arritur të favorizojë dukshëm persona nën hetim për kontrabandë.
VoxNews ka mësuar se pronarët e kompanisë NRG, italiani Marco Genicco dhe bashkëshortja e tij shqiptare, Flutura Nuredini, janë nën hetim të thelluar nga Prokuroria e Tiranës për kontrabandë medikamentesh, me të cilat realizojnë spërkatjen kundër mushkonjave. Pra, nga njëra anë firma fiton me influencat e Myzyrit tendera me shumë zero dhe nga ana tjetër, medikamentet me të cilat duhet të spërkasë zonat, futen në mënyrë të paligjshme.
Një skemë sa kriminale aq edhe në dëm të shtetit, i cili humb dy herë. Myzyri e shpall fitues NRG-në me oferta më të larta dhe firma fituese as nuk paguan doganë!

