Nga Enver Bytyçi
Lexova diku një profesor tek shkruante se “I paudhi” Sali Berisha shan Shqipërinë në PPE. Një tjetër profesor, ish ambasador i shkarkuar për korrupsion, po ashtu qorton në seri artikujsh “sharjet” që kreu i opozitës i bën narko-qeverisë shqiptare, por që ky (këta) profesorë e identifikojnë me Shqipërinë. Denoncimi i farsës së zgjedhjeve të 11 majit nga ana e opozitës dhe kreut të saj po interpretohet nga mediet e pushtetit dhe “profesorët” e dashuruar me diktaturën e mafies si “mallkim kundër Shqipërisë”, si “nxirje e imazhit të Shqipërisë” e madje si “tradhti” ndaj saj.
Shpreha këtë panoramë sulmesh jo për të mbrojtur atë që denoncon opozita në Bashkimin Evropian dhe politikën evropiane sa i përket farsës së zgjedhjeve të 11 majit. Ky është mision i opozitës dhe i të gjithë atyre që shqetësohen për fatet e këtij vendi. Por edhe këta profesorët e dinë më mirë se gjithkush tjetër që zgjedhjet ishin të manipuluara. Ata e dinë se administrata publike u kërcënua. E dinë se policia, prokuroria dhe SPAK mbrojtën krimet zgjedhore të patronazhistëve dhe politikanëve të Rilindjes. E kanë parë me sytë e tyre se paratë e taksave tona u përdorën publikisht për të blerë zgjedhjet (kujtoj bonuset për pensionistët, faljen e të gjitha gjobave dhe 29 mijë hektarët e kanabisit). Panë që nja tre ose katër dyzina kriminelësh u lanë të lirë të “bënin” vota për Rilindjen për t’u arrestuar ose jo pas zgjedhjeve. Nuk po numërojmë më shumë se kaq. Këto akte janë veprime publike të qeverisë madje të bashkërenduara me mafien e kanabisit.
