Hije @buzimi me tenderat e Bashkisë së Vaut të Dejës, si favorizohen Arbër Abazi dhe “Gega Oil”

Data

Teksa qyteti ka një histori të pasur që lidhet me traditën dhe zakonet, godina e bashkisë qëndron në majë të kodrës si simbol i pushtetit dhe largësisë nga hallet dhe problemet e banorëve. Dalëngadalë kjo godinë po transformohet në një model se si keqmenaxhimi dhe aferat shkatërrojnë jo vetëm projektet publike, por minojnë edhe të ardhmen.

Gjithçka ka nisur në nëntor 2022, kur Komisioni i Vlerësimit të Ofertave do të skualifikonte të gjitha kompanitë pjesëmarrëse në tenderin “Rikonstruksion i shkollës + ndërtim palestre, Mjedë” me fond limit 108 milionë lekë.

Nga gara do të eliminoheshin kompanitë “Ndërtuesi 2014” shpk & “Nika” shpk, “SMO Vataksi” shpk, “Alko Impex General Construtcion” shpk, “Gentian Horieti” person fizik dhe bashkimi i operatorëve “B93II” shpk & “Shëndelli” shpk & “Altec” shpk.  Një ditë pas skualifikimit të të gjitha kompanive, bashkia do të anulonte tenderin, por në 14 nëntor 2022, konsorciumi i kompanive “B93II” shpk & “Shëndelli” shpk & “Altec” shpk do të bënin ankesë pranë Komisionit të Prokurimit Publik.

Kujtojmë se oferta e paraqitur nga ky bashkim kompanish ishte 88.8 milionë lekë dhe më ekonomikja nga të gjitha ofertat, por Komisioni vendosi ta skualifikojë. Në 23 dhjetor 2022, Komisioni i Prokurimit Publik i kryesuar nga Jonaid Myzyri nuk do ta pranonte ankesën e bashkimit të kompanive, duke i hapur rrugën Bashkisë me anulimin e procedurës.

Por çfarë ndodhi më pas?

Në prill 2023, Bashkia do të rishpallte përsëri tenderin për rikonstruksionin e shkollës dhe ndërtimin e palestrës në Mjedë me fond limit rreth 1 milion euro. Në garë do të merrnin pjesë gjashtë kompani, por fitues do të shpallej bashkimi i kompanive “LODI CONSTRUCTION” shpk, “ALKO-IMPEX General Construction” dhe “2T” shpk me ofertë  99 milionë lekë.

Sipas deputetes së Partisë Demokratike Dhurata Çupi, tenderat publikë kanë shumë prapaskena.

“Kontratat janë disafish të fryra. Ka situacione mbi fondin limit apo mbi çmimet reale disafish që do të thotë se ka një fond për kontratën, ka një fond që do të fitojë operatori, ka dhe një fond tjetër për ryshfetin dhe kjo duket sikur është kthyer në një procedurë të pranuar, situacione disafish të fryra që është edhe një nga abuzimet kryesore”, tha deputetja Çupi për “Vetting”.

Pas kompanive fshihet një rrjet individësh me lidhje të forta politike si Arbër Abazi, nipi i ish-deputetit të Partisë Socialiste, Sadri Abazi.

Kompanitë “ALKO-IMPEX General Construction” dhe “2T” shpk janë ndër përfituesit më të mëdhenj të fondeve shtetërore në gjithë Shqipërinë, me total kontratash mbi 100 milionë euro gjatë viteve të fundit.

Në rastin konkret, jo vetëm që ata kanë përfituar, por edhe kanë tejkaluar kufirin e lejuar, një situatë që tashmë për të cilën institucionet e drejtësisë duhet të nisin hetimet për shpërdorim detyre nga drejtuesi i bashkisë, Kristjan Shkreli.

Sipas të dhënave të siguruara nga “Vetting”, në këtë rast është evidentuar një dëm ekonomik prej 4,4 milionë lekësh për punime të pakryera duke shkelur kontratën. Këto para nuk janë shpenzuar për interesin e fëmijëve, por kanë avulluar duke ngritur dyshime për korrupsion.

Sipas ekspertit të ekonomisë Eduart Gjokutaj, më së shumti tenderat publikë janë të paracaktuar.

“Më së shumti tenderat publikë janë të paracaktuar, pra kjo është një nga treguesit e mëdhenj të abuzimeve të cilët në vetëvete kur paracaktohen natyrisht që nuk janë projekte të suksesshme pasi nuk bazohen mbi interesa të mirëfillta ekonomike por mbi interesa të atyre që kërkojnë t’i përfitojnë këto lloji fondesh”, tha Gjokutaj për “Vetting”.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related