Komisioni i Jashtëm i Parlamentit Europian miratoi sot raportin vjetor për Shqipërinë, duke ngritur alarmin për zgjedhjet në vendin tonë. Por jo vetëm kaq, në rezolutën e tyre ata shprehin shqetësim për korrupsionin, krimin, ndërhyrjet politike në drejtësi dhe mungesën e pavarësisë së medias.
Raportuesi për Shqipërinë, Andreas Schieder, tha se vendi ynë është pararojë në negociatat për anëtarësim, megjithatë ende nuk është arritur vija e finishit. Më poshtë njoftimi zyrtar për miratimin e raportit:
Eurodeputetët theksojnë konsensusin e gjerë politik dhe mbështetjen e fortë publike që ekziston në Shqipëri për anëtarësimin në BE, së bashku me përputhjen e plotë me politikën e jashtme dhe të sigurisë të BE-së, në një raport të miratuar nga Komisioni për Punët e Jashtme me 57 vota pro, 11 kundër dhe 6 abstenime. Më pasi ai do të kalojë për votim në seancën më të afërt plenare të Parlamentit Europian.
Nevojë urgjente për thellimin e reformave
Duke përshëndetur synimin e Shqipërisë për të përfunduar negociatat e anëtarësimit deri në vitin 2027 dhe progresin e bërë deri tani, eurodeputetët theksojnë nevojën urgjente për intensifikimin e reformave. Prioritetet kryesore përfshijnë forcimin e pavarësisë së gjyqësorit, luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, si dhe mbrojtjen e të drejtave themelore. Forcimi i pluralizmit dhe transparencës në media mbetet thelbësor për ndërtimin e besimit publik.
