E caktuara për drejtuese Anuela Ristani ka vendosur të heqë mobiljet e Erion Veliajt nga zyrat dhe bën tender për mobilimin e selisë së bashkisë Tiranë. Poltron rrotullues, raft librash, tavolinë ovale si e Shtëpisë së Bardhë, kasafortë sekrete, komplete kolltuqesh, kredencë, garderobë, pasqyra për tualet dhe një listë e gjatë mobiliesh që do t’ia ndryshojnë pamjen nga brenda zyrave.
E gjitha kjo u kushton taksapaguesve të kryeqytetit 465 milionë lekë pa llogaritur shtesën e TVSH-së në vlerën e kontratës. Jo vetëm kaq, por nga xhepat tona paguhet edhe fatura e korrupsionit gjatë procedurës së tenderit. Tashmë nga një denoncim që është bërë në KPP kemi mësuar se kriteret janë qepur për një kompani të caktuar.
Komisioni i tenderit i autorizuar nga kryetarja e komanduar e Bashkisë Tiranë, Anuela Ristani, e ka ndarë prokurimin në dy lote: Loti 1: “Pajisje për zyra” dhe Loti 2: “Blerje pajisje dhe orendi për nevoja të institucioneve të Bashkisë Tiranë”.
