Komisioni i Ankesave dhe Sanksioneve (KAS) u mblodh sot për të shqyrtuar ankimimin e Partisë Demokratike dhe aleatëve të saj të koalicionit ADSHM për rezultatet e zgjedhjeve të 11 majit në qarkun e Lezhës. Edhe pse PD ka fituar 4 me 3 mandate ndaj PS-së në këtë qark, ajo ka ndjekur të njëjtën linjë ankimimi si në qarqet Kukës, Berat, Dibër, Vlorë dhe Gjirokastër.
Përfaqësuesi i PD-ADSHM, Marash Logu, kërkoi pavlefshmërinë e rezultatit të certifikuar nga KQZ dhe përsëritjen e zgjedhjeve në Lezhë, duke renditur një sërë shkeljesh të pretenduara, si
- Përfshirje e policisë në fushatë zgjedhore dhe ndjekje penale ndaj kandidatit të PD, Gjin Gjoni.
- Ndërhyrje të kryebashkiakut Pjerin Ndreu në fushatë përmes përdorimit të administratës dhe fondeve publike.
- Legalizime selektive, asfalt elektoral dhe shpërndarje e bonuseve për pensionistët.
- Shpërndarje licencash për kultivim kanabisi në këmbim të votave.
- Votimi i diasporës i orientuar dhe i manipuluar.
Logu dorëzoi kërkesën për përjashtimin e anëtarit të KAS, Ilirjan Rusmali, duke pretenduar konflikt interesi për shkak të lidhjeve të tij me Presidencën. Në sallë pati tension, pasi Logu refuzoi disa prej pyetjeve të Rusmalit, duke deklaruar se subjekti nuk kishte interes që ai të përfshihej në këtë çështje.
