Deputeti i zgjedhur i Partisë Demokratike, Belind Këlliçi iu përgjigj pyetjeve rreth hapave që do të ndjekë kjo forcë politike pas humbjes së thellë në zgjedhjet e 11 majit.
“Mos kujtoni se po i shmangem unë apo ndokush tjetër përgjegjësive. Kushdo që ka garuar në zgjedhjet e 11 majit pa diskutim që do duhet të jetë subjekt i një analize të brendshme. Subjekt i matjes së performancës dhe subjekt i matjes së mënyrës si ka bërë fushatën elektorale dhe do duhet të japi përgjegjësi para demokratëve, para strukturave dhe forumeve të PD. Por tashmë jemi te kapitulli i parë që është evidentimi i asaj që ka ndodhur në 11 maj. Nuk po themi që të kemi pushtet në tavolinë por kërkesa është që në Shqipëri të ketë zgjedhje. Ky proces sot do të çohet deri në fund. Besoj se ditën e nesërme certifikohet rezultati në rang kombëtar dhe ne do të kemi nga nesër deri në ditën kur del raporti përfundimtar i OSBE/ODIHR dy muaj kohë për ti bërë me dije të gjithë qytetarëve shqiptarë dhe institucioneve ndërkombëtare se çfarë ka ndodhur. Kjo linjë na çon në demontimin e farsës elektorale që ka ndodhur më 11 maj”, tha Këlliçi në A2 CNN.
