Tre parti të reja sfiduan duopolin e politikës shqiptare dhe siguruan mandate parlamentare në zgjedhjet e 11 majit jashtë dy kampeve të mëdha, por suksesi i tyre elektoral u kufizua nga parashikimet e Kodit Elektoral. Deri pasditen e së enjtes, partitë e vogla morën së bashku mbi 150 mijë vota, por vetëm tre prej tyre arritën t’i përkthenin ato në mandate parlamentare.
Koalicioni “Nisma Shqipëria Bëhet” e Adriatik Lapajt dhe Endrit Shabanit, partia “Mundësia” e Agron Shehajt dhe “Lëvizja Bashkë” e Arlind Qorit do të jenë parti parlamentare jashtë dy kampeve të mëdha. Edhe pse të tre ata i bashkon fryma anti-establishment, të rinjtë refuzuan idenë e një bashkimi para zgjedhjeve dhe shpesh luftuan edhe kundër njëri-tjetrit në fushatë.
Mijëra votat e hedhura për ofertat e tyre politike ata i lexojnë si besim i publikut për t’u përfaqësuar në Kuvend, përfaqësim që gjithsesi do të jetë i kufizuar për shkak të sistemit proporcional rajonal.
Adriatik Lapaj nga “Nisma Shqipëria Bëhet” i tha BIRN se objektivi i tyre do të jetë ndryshimi i Kodit Zgjedhor në mënyrë që të hapet gara.
“Sistemi elektoral mban peng demokratizimin e vendit, sepse përmes artificave nuk lejon të pasqyrohet vullneti politik i qytetarëve,” tha Lapaj.

