Pas kontestimit nga ana e Partisë Demokratike, ditën e sotme pritet të nisë numërimi i votave të diasporës nga Greqia. Janë rreth 50 mijë vota që u lanë mënjanë nga KQZ, pas kontestimit nga PD.
Ndërkohë ka përfunduar numërimi i votave të ardhura nga shtetet e tjera. Ditën e djeshme, Kolegji Zgjedhor ka rrëzuar kërkesë padinë e Partisë Demokratike, e cila kërkonte shfuqizimin e vendimit të Komisionit të Administratës Shtetërore (KAS), për numërimin e votave të ardhura nga Greqia.
PD kishte kundërshtuar lejimin e numërimit të votave të diasporës nga Greqia, duke e konsideruar këtë një shkelje të procedurave, pasi sipas tyre, kishin konstatuar problematika në mënyrën e dorëzimit dhe më pas përcjelljen e tyre në Shqipëri.
Kolegji Zgjedhor, pas shqyrtimit të kërkesës, e ka cilësuar si të pavlefshme kërkesën e PD-së, duke konfirmuar kështu vlefshmërinë e numërimit të votave të Greqisë.
Më herët edhe Ilirjan Celibashi, kreu i KQZ, urdhëroi numërimin e 53 mijë zarfeve, pasi nga verifikimet nuk u gjetën parregullsi në proces dhe kuti, ndaj është detyrim ligjor për te numëruar dhe vlerësuar çdo vote dhe çdo zarf që gjendet në këto kuti.

