Fox News: Protestat në Shqipëri shtojnë presionin ndaj qeverisë Rama

Data

Media amerikane Fox News⁠ i ka kushtuar vëmendje protestave të zhvilluara në Shqipëri, duke raportuar se qeveria e Kryeministrit Edi Rama po përballet me presion në rritje ndërsa demonstratat kundër saj vijojnë.

Sipas artikullit, protestuesit kërkojnë dorëheqjen e Ramës, por një pjesë e tyre shprehin kritika edhe ndaj kreut të opozitës, Sali Berisha, duke i konsideruar të dy kampet politike përgjegjëse për problemet që kanë shoqëruar vendin gjatë dekadave të fundit.

Raportimi ndalet edhe te debatet që kanë shoqëruar projektet turistike të propozuara nga investitorë të lidhur me Jared Kushner në ishullin e Sazanit dhe në zonën e Zvërnecit. Sipas Fox News, projektet kanë nxitur reagime për shkak të ndikimit të mundshëm në mjedis dhe në zonat e mbrojtura natyrore.

Ish-ambasadori shqiptar në SHBA dhe OKB, Agim Nesho, deklaroi për median amerikane se kundërshtimet nuk lidhen me investitorët e huaj, por me mënyrën e qeverisjes dhe administrimit të vendit.

Nga ana tjetër, qeveria shqiptare ka mbrojtur projektet, duke theksuar se ato do t’i nënshtrohen procedurave të plota të vlerësimit të ndikimit në mjedis dhe se statusi i zonave të mbrojtura nuk është ndryshuar për t’i hapur rrugë investimeve.

Artikulli përmend gjithashtu shqetësimet e ngritura nga institucione europiane lidhur me ndërtimet në zonat e mbrojtura, si dhe debatet që kanë shoqëruar zhvillimin e projekteve turistike në bregdetin shqiptar.

Një prej drejtuesve të projektit në Sazan, Asher Abehsera, deklaroi se synimi është krijimi i një destinacioni turistik të standardeve ndërkombëtare, duke respektuar kriteret mjedisore dhe duke gjeneruar zhvillim ekonomik afatgjatë.

Ndërkohë, organizatorët e protestave kanë deklaruar se do të vijojnë mobilizimin e tyre, duke kërkuar më shumë transparencë, llogaridhënie politike dhe zhvillimin e zgjedhjeve të reja. Sipas raportimit të Fox News, çështjet e korrupsionit, qeverisjes dhe menaxhimit të pasurive publike mbeten në qendër të debatit publik në Shqipëri.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related