Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha po merr pjesë në Forumin Botëror të IDU-së në Bruksel. Në një intervistë Berisha deklaroi dje se, partitë pjesëtare të IDU mbështesin 100% përpjekjet e PD dhe opozitës shqiptare për rikthimin e votës së lirë. “Sot është forumi botëror i IDU-së që mbahet në Bruksel. Një herë mbahet në Uashington, herën tjetër mbahet në Bruksel. Unë erdha këtu me urgjencë për të mbrojtur votën e shqiptarëve. Për të paraqitur para audiencës dhe personaliteteve të pranishme në këtë forum, farsën e turpshme zgjedhore të 11 majit. Dhe, këtu ka një terren jashtëzakonisht të përshtatshëm, pasi që të gjitha këto që ndodhën në 11 maj janë të parashikuara në mënyrë të plotë në rezolutën e dhjetorit të forumit të Uashingtonit të IDU-së”, tha ai.
“Në këto orë qëndrimi pata rastin ta takoj dhe ta informoj për zhvillimet e fundit, presidentin e IDU-së, z. Stefan Harper dhe shumë personalitete të tjera nga Evropa, por edhe nga vende tjera nga mbarë bota. Pra, qëllimi kryesor është denoncimi online, flakë për flakë si të thuash, i farsës elektorale, të cilën për hir të së vërtetës e kam denoncuar, dhe e kanë denocuar me profesionalizëm të madh, edhe vëzhguesit e institucioneve ndërkombëtare të zgjedhjeve të 11 majit”, u shpreh Berisha. I pyetur lidhur me garancitë që mori nga drejtuesit e partive politike, Berisha tha se, “ata mbështesin plotësisht 100 për qind përpjekjet që po bën PD dhe opozita shqiptare për rikthimin e votës së lirë qytetarëve shqiptarë, dhe dënojnë farsën elektorale të Edi Ramës. Ne u jemi pafundësisht mirënjohës IDU-së, PPE-së dhe CDI-së, të cilat kanë folur në rezoluta të tyre në një gjuhë të njëjtë ndaj narkoshtetit shqiptar dhe shndërrimit të procesit zgjedhor në një farsë elektorale nga Edi Rama, narkodiktatori që ka përqendruar në duart e tij të gjitha pushtetet”.
