Numërimi i votave preferenciale po nxit një konflikt të brendshëm mes kandidatëve në listën e hapur. Më e ethshme kjo “luftë” është në radhët e Partisë Socialiste, aq sa është dashur ndërhyrja e Edi Ramës në një përpjekje për të shuar sherrin, fundi i të cilit nuk dihet ende sidoqoftë.
Lapsi.al ka parë një komunikim me mesazhe mes kandidatëve, si dhe ka dëgjuar më pas mesazhet zanore të dërguara nga vetë Edi Rama në grupin e aplikacionit “WhatsApp” ku janë të gjithë kandidatët për deputetë në zgjedhjet e 11 majit.
Fillimisht është drejtuesi politik i PS për diasporën, Taulant Balla, i cili tregon për disa kallëzime që Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve do të përgatisë ndaj atyre numëruesve që po manipulojnë votat e kandidatëve.
“Numëruesit do të shkojnë në burg siç ndodhi edhe në 2021, por edhe ata kandidatë që i shtyjnë të bëjnë vepër penale janë po njëlloj fajtor. Mos bini në grackën e sabotimit sepse ofertat që ju vijnë nga PD për bashkëpunim kanë për qëllim hedhjen në erë të procesit zgjedhor”, shkruan Taulant Balla.
Halit Valteri me famë të madhe si kameleon politik sa nga njëra parti në tjetrën, ku bëhet plaçkë e katandi, dhe që së fundi është strehuar te Rilindja, reagoi direkt pas Taulant Ballës. Valteri është i shqetësuar për unitetin e partisë dhe thotë se kanë punuar me gjak e me shpirt.

