Në Ksamil mungon ende shërbimi shëndetësor 24 orësh, çka po krijon vështirësi serioze për banorët dhe pushuesit që frekuentojnë zonën, sidomos gjatë sezonit veror. Banorët i kanë bërë thirrje autoriteteve për hapjen e menjëhershme të qendrës shëndetësore sezonale dhe zgjerimin e orarit të shërbimit në qendrën ekzistuese gjithëvjetore.
Me mbi 6 mijë banorë rezidentë dhe 427 struktura akomoduese, Ksamili përballet me fluks të lartë vizitorësh, duke e rënduar më tej nevojën për kujdes shëndetësor të pandërprerë. Aktualisht, qendra gjithëvjetore me dy mjekë dhe gjashtë infermierë ofron shërbim vetëm deri në orën 15:00, ndërsa qendra sezonale ende nuk është hapur, megjithëse sezoni veror është afër.
