15 vite më vonë, Interi ka eliminuar sërish Barcelonën në gjysmëfinalen e Champions League, duke fituar mundësinë për të ngritur trofeun më 31 maj në Mynih.
Nuk do të ketë Tripletë si në vitin 2010, por emocionet e përjetuara në atë 4-3 të pabesueshëm në “San Siro” kanë përshkuar edhe ish-presidentin Massimo Moratti.
“Ishte një mbrëmje e mrekullueshme, – komentoi Moratti për “SportMediaset”, – emocionuese në çdo aspekt. Kaluam çdo lloj ndjenje: nga gëzimi fillestar te zhgënjimi për përmbysjen, pastaj në mënyrë heroike erdhi goli i barazimit në fund. Fantastike”.
Interi kaloi falë golit të Frattesit në shtesë dhe pritjeve të Sommerit, pas dy rezultateve 3-3 në ndeshjen e parë dhe të kthimit ndaj katalanasve: “Ishin dy ndeshjet më të bukura që kam parë, Interi e ka merituar plotësisht këtë finale”.
Sa iu përket ngjashmërive me vitin 2010, Moratti është i sigurt: “Ishin dy beteja të vërteta, edhe pse me skenarë dhe rezultate të ndryshme. Sidoqoftë, emocionet ishin të njëjta, ashtu si edhe lumturia në fund”.

