Gjatë fjalës së mbajtur në takimin madhështor në Kurbin, kryedemokrati Sali Berisha është shprehur se, brenda 1 viti do të mbyllen plagët e tërmetit tragjik të 2019.
Ai gjithashtu ka paralajmëruar edhe kryebashkiaken e Laçit, Majlinda Cara se do të shkojë tek Erion Veliaj, pra në burg.
“Miqtë e mi, jam këtu në Kurbin, qytet që me 26 nëntor të vitit 2019 përjetoi një katastrofë natyrore të madhe. Sot pas 6 vitesh nga qeveria shqiptare pothuajse nuk është bërë asgjë. U ndërtuan apartamentet nga qeveria turke dhe unë e falënderoj me mirënjohje, po sot mbi 200 familja qëndrojnë në çadra dhe jo në banesat e tyre.
Sot një seri pallatesh sërish janë jashtë çdo standardi. Edi Rama nuk e ka mendjen të zgjidhë problemet e qytetarëve të Kurbinit, qytetarëve të Durrësit, qytetarëve të Shqipërisë që pësuan një tronditje të madhe, por e ka mendjen se si të pasurohet, si të fryjë më shumë kontot e tij bankare.
Miq, në shtator të vitit 2019 ndodhi një tërmet që pothuajse thërrmoi pallatet në Thumanë. Qytetarët e Thumanës u lanë në pallate të pabanueshme gjersa tërmeti tjetër u mori jetën dhe sot nuk ka asnjë përgjegjës. Askush sepse të gjithë ata ishin klani i Edi Ramës, ministrat e Edi Ramës, zyrtarët e Edi Ramës.
