Projektligji i miratuar në heshtje të plotë nga Këshilli i Ministrave ka zbuluar fytyrën e vërtetë të një prej aferave më të mëdha të kohëve të fundit: një plan i përpunuar me kujdes për t’i dhuruar oligarkëve tokat më të vlefshme të Shqipërisë, nga bregdeti e deri në zonat strategjike të zhvillimit. Nën petkun e investimeve, qeveria e Edi Ramës ka vendosur që pronat shtetërore të dhëna me kontrata simbolike “1 euro” të shiten drejtpërdrejt përfituesve të qirasë pa garë, pa transparencë, dhe pa asnjë kontroll publik.
Projektligji i ri parashikon që çdo subjekt që ka marrë një truall me sipërfaqe mbi 500 m² në përdorim përmes një kontrate “1 euro”, mund të aplikojë për privatizimin e tij. Këto prona, që përfaqësojnë pasurinë publike, do të kalojnë në duart e atyre që i zotërojnë në përdorim, pa konkurrencë dhe pa hetim mbi përmbushjen e kushteve të qirasë. Nëse objekti i kontratës nuk është i regjistruar në Kadastër, atëherë kalon automatikisht për shitje, dhe transaksioni kryhet bazuar në vlerësimin e një eksperti të caktuar nga ministri përkatës duke e kthyer gjithë procesin në një farsë të kontrolluar politikisht.
