Një diskutim i brendshëm, i përsëritur, mes vendeve anëtare dhe brenda vendeve anëtare të Bashkimit Europian, për herë të parë duket sikur është pjesë e fushatës elektorale në Shqipëri. Koalicioni i madh gjerman që po merr mandatin 4-vjeçar nën drejtimin e demokristianit Merz, është kundër zgjerimit të Bashkimit Europian përpara se të ketë një reformim thelbësor. Ende i pazyrtarizuar, ky propozim ka shumë mundësi të bëhet vendim i Brukselit, duke patur parasysh fuqinë e Gjermanisë në Union.
Që nga fillimi i luftës në Ukrainë, fuqitë e mëdha europiane, në bashkëpunim me administratën demokrate në SHBA, vendosën të ndiqnin një politikë më të hapur ndaj vendeve të Europës Lindore, të krijonin një mundësi integrimi të shpejtë, që nën kërcënimet e Linjdes, kufiri i Perëndimit të ishte sa më larg, sa më i unifikuar dhe sa më i sigurtë. Madje edhe Serbia po shihej si një shtet që do të kthente më në fund sytë nga Perëndimi, duke harruar dashurinë dhe duke prerë lidhjet e forcës më Rusinë.
Kjo situata e krijuar nga 2022, u shfrytëzua për një gjetje elektorale spektakolare nga Kryeministri Rama. Megjithëse në fillim të hapjes së kapitujve që po negociohet, ai vendosi të kërkojë mandatin e katërt me premtimin e anëtarësimit në BE dhe pasaportës europiane. Pas 12 viteve pa bilanc, pikërisht në momentin kur askush nuk e priste që të gjente një fjalë justifikuese për premtimet e pambajtura dhe themelimin e ekonomisë kriminale, ai gjeti zgjidhjen tek anëtarësimi.
