Gazetarja Klodiana Lala ka komentuar zhvillimet e fundit lidhur me çështjen penale ndaj kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, pas vendimit të Apelit të Posaçëm që e lë atë në paraburgim. Sipas Lalës, gjykata ka dhënë sinjale të qarta për strukturën e mundshme kriminale që përfshin Veliajn, bashkëshorten e tij Ajola Xoxa dhe ish-zyrtarin Elman Abules.
E ftuar në një emision televiziv, Lala tha se vendimi i gjykatës përbën një orientim për SPAK-un, ngjashëm me rastet e mëparshme si “5D” dhe Ilir Beqaj. Sipas saj, gjykata ka evidentuar disa arsye për të mbajtur Veliajn në paraburgim, përfshirë rrezikun e ndërhyrjes në prova për shkak të funksionit të tij aktual si kryetar bashkie.
“Gjykata ka theksuar se Veliaj mund të helmojë provat për shkak të detyrës. Ajo ka marrë në konsideratë sjelljen jo korrekte të tij ndaj përfaqësuesve të drejtësisë, si dhe bisedat e përgjuara që janë përdorur si prova,” u shpreh gazetarja.
