Njoftimi i Donald Trump për të bllokuar për 90 ditë tarifat e reja ka rënë si një meteor mbi vendimet e Komisionit, i cili, pasi kishte përgatitur paketën e parë të kundërmasave, është detyruar të marrë parasysh kthesën amerikane dhe të shqyrtojë pezullimin e menjëhershëm reciprok.
Pas Kinës, edhe Europa nxjerr sëpatën për t’u përgjigjur ndaj SHBA-së dhe kështu lufta tregtare botërore është shpallur. Por, menjëherë pas kësaj, vihet në pauzë. Të paktën nga Kontinenti i Vjetër, i cili është gati të pezullojë menjëherë kundërtarifat. Njoftimi i Donald Trump për të bllokuar për 90 ditë tarifat e reja ka rënë si një meteor mbi vendimet e Komisionit, i cili, pasi kishte përgatitur paketën e parë të kundërmasave, është detyruar të marrë parasysh kthesën amerikane dhe të shqyrtojë pezullimin e menjëhershëm reciprok.
Pallati Berlaymont, i zënë në befasi, fillimisht duhej të verifikonte efektivitetin e nismës së Trump, sepse presidenti amerikan e lidhi pezullimin vetëm me vendet që nuk kishin reaguar. Evropa, pavarësisht se ka miratuar listën e përgatitur nga ekzekutivi i Komunitetit, e gjen veten në një gjendje pasigurie: kundërtarifat, në fakt, do të hyjnë në fuqi vetëm nga e marta e ardhshme. Prandaj, orientimi i Brukselit është të pranojë pauzën dhe të veprojë në të njëjtën mënyrë, por vetëm me kushtin që të ketë reciprocitet. “Ruajtja e marrëdhënieve të ngushta transatlantike,” – nënvizoi kryeministri polak Donald Tusk, presidenti aktual i BE-së – “është një përgjegjësi e përbashkët përballë turbullirave aktuale. Prandaj, le të shfrytëzojmë sa më mirë 90 ditët e ardhshme.” Ky është një sinjal se Bashkimi po ndjek të njëjtën linjë. Ndërkohë, sot Presidentja e Komisionit do të konsultohet me 27 qeveritë anëtare për të marrë një qëndrim përfundimtar.
Megjithatë, dje BE-ja i dha dritën jeshile paketës së parë të kundërmasave, e cila teorikisht do të hynte në fuqi më 15 prill. Janë miratuar gjithashtu edhe dy lista të tjera, që do të lançohen – ose janë gati të lançohen – përkatësisht më 15 maj dhe më 1 dhjetor, me një vlerë totale prej 21 miliardë eurosh. Italia votoi në favor të tarifave të reja, së bashku me të gjithë të tjerët, përveç Hungarisë, e cila drejtohet nga sovranisti Viktor Orban.
Ndërhyrja e parë ishte konceptuar për të qenë taktikisht shumë e kufizuar: shuma arrin në rreth 4 miliardë euro. Kjo tregon se Brukseli nuk ka reshtur kurrë së kultivuari shpresën për të hapur një negociatë me Uashingtonin: “Masat mund të pezullohen në çdo kohë, nëse Shtetet e Bashkuara pranojnë një zgjidhje të drejtë dhe të ekuilibruar të negociuar”, shkroi Komisioni që në fillim.
