Ish-numri dy i qeverisë Rama dhe njëkohësisht edhe ish-besniku i kryeministrit, Arben Ahmetaj ka ardhur së fundmi me një tjetër intervistë ku dhe është ndalur te akuzat e pabaza të ngritura ndaj tij, te “thikat pas shpine” që ka “ngrënë” , ashtu si dhe ai i quan, nga ata që dikur i kishte kolegë dhe te kërcënimet që i janë bërë, duke mos “kursyer” as familjen e tij. Ahmetaj kësaj here është “rrëfyer” për Vincent W.J. van Gerven Oie. Ahmetaj ka folur për pastrimin e parave, kanalizimin e vendit, aferat e Belinda Ballukut, prapaskenat e arrestimit të Erion Veliajt, deri te spiunimi që i bënte dadoja në Tiranë. Ai ka numëruar dhe 9 dosjet korruptive që çojnë pas hekurave emra “VIP” në politikën shqiptare. Sipas tij SPAK po i zvarrit qëllimisht hetimet pasi preken emra të rëndësishëm, që shkojnë deri te Rama.
-Zoti Ahmetaj, midis viteve 2013 dhe 2016 ju ishit ministër në qeverinë e parë të Kryeministrit Edi Rama. Kjo ishte periudhës së “kanabizimit” masiv të Shqipërisë. Cili ishte qëllimi i kanabizimit dhe pse u lejua të vazhdonte aq gjatë?
Në vitin 2013 unë u emërova Ministër i Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, një ministri “ombrellë”, me përgjegjësinë për të koordinuar politikat ekonomike. Debati im i parë me kryeministrin aktual për kanabizimin ndodhi rreth fundit të vitit 2014, fillimit të 2015-s. Qëndrimi im ishte shumë i fortë kundër kanabizimit. Ky proces në praktikë do t’i pasuronte, fuqizonte dhe do t’i bënte më të dhunshme grupet kriminale, dhe do të deformonte krejtësisht ekonominë shqiptare. Gjatë dy takimeve të gjata jashtë Tirane të qeverisë kam qenë shumë i drejtpërdrejtë në qëndrimin tim kam dëshmitarë për këtë.
